Gerard Pique nuk i kurseu kritikat për arbitrat, duke insinuuar se ata po e çojnë kampionatin drejt fitimit nga Real Madridi. Pas barazimit të mbrëmshëm kundër Sevilla (0-0), mbrojtësi qendror katalanas befasoi me deklaratën: “Do të jetë shumë e vështirë ta fitojmë këtë kampionat, pasi nuk varet më nga ne. Sidoqoftë, ne do të provojmë”. Pique e bëri deklaratën e tij bazuar në mënyrën se si Real Madridi e mori fitoren në dy ndeshjet e para, pas rifillimit të La Liga-s: “Unë kam parë atë që ka ndodhur në këto dy javë kampionati dhe do të jetë e vështirë për Real Madridin që të humbasë pikë. Megjithatë, ne do të provojmë”.
Padyshim, Pique po i referohej golit me të cilin Real Madridi hapi rezultatin ndaj Eibar, me një “offside” të Benzema në fillim të lojës, apo veçanërisht kur Rodrigos (Valencia) iu anulua një gol të enjten, me rezultatin që ishte 0-0. Lojtari i Barcelonës ka atrikuluar kritika edhe për gjyqtarët. Ai nuk është futbollisti i parë i katalanasve që e bën këtë. Arturo Vidal, gjithashtu, analizoi golin e anuluar të Rodrigos në Real Madrid-Valencia në prag të Sevilla-Barcelona.
Në lidhje me barazimin kundër Sevilla, mbrojtësi qendror vlerësoi lojën e luajtur nga ekipi i tij: “Sevilla është e treta në renditje, sepse ka një ekip të nivelit të lartë. Është një ekip shumë konkurrues. Barazimi na lë në një pozitë, që nuk varemi më nga vetvetja, por përshtypjet nuk kanë qenë të këqija. Ne kemi pasur më shumë shanse dhe kontroll të lojës. Kundërshtari dukej më i lodhur, ne e kemi qarkulluar topin, por Sevilla nuk lejoi asnjë hapësirë”.
0 Comments