Barcelona ka arkëtuar pikë të plota kundër Mallorcas në Estadio de Son Moix, ku fitoi me rezultat 4-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 28 në La Liga.
Mjaftuan dy minuta lojë dhe rezultati u zhbllokua. Një harkim të gjatë nga Jordi Alba e priti në zonë Arturo Vidal, i cili realizoi me kokë.
Në minutat në vazhdim, Takefusa Kubo rrezikoi në dy raste për vendasit, mirëpo në vend ishte portieri Marc-Andre ter Stegen për të intervenuar.

Blaugranët e shënuan edhe golin e dytë në pjesën e parë. Pas një aksioni, Lionel Messi asistoi me kokë te Martin Braithwaite, i cili e shënoi golin debutues (37’). Pas konsultimit të VAR-it gjyqtari vendosi se goli ishte i rregullt.
Vendasit nuk u dorëzuan në vazhdim të lojës duke u treguar të rrezikshëm në dy raste përmes Ante Budimir, të cilit i mungoi konkretizimi. Ndërsa për mysafirët rrezikoi sërish Braithwaite dhe më pas Ronald Araujo.

Tjetër asistim fantastik nga Messi dhe Jordi Alba shkoi drejt portës duke e shënuar golin e tretë për ekipin vizitor.
Dhe nuk mund të mungonte goli i Leo Messit në këtë sfidë. Superylli argjentinas pranoi një top nga Luis Suarez krijoi hapësirë përballë lojtarëve kundërshtarë dhe shënoi (90’+4).
Me këtë fitore, Barcelona forcohet në krye të tabelës me pesë pikë më shumë se Real Madridi që të dielën luan kundër Eibarit. Nga ana tjetër, Mallorca ndodhet në zonën e rrezikut për të rënë nga liga.
0 Comments